Delegacioni i Universitetit të Sporteve të Tiranës, i përbërë nga Rektori Prof.Dr. Agron KASA dhe Zv/Rektori për anën shkencore Prof.Dr. Arben KAÇURRI, mori pjesë në takimin e rradhës të të partnerëve të Projektit Europian IN-FORMS, i cili u zhvillua më 8–9 tetor 2025 në La Rochelle, Francë, nën organizimin e Fédération Nationale Professionnelle des Structures du Loisirs Sportif (FNPSL) dhe në bashkëpunim me EOSE (European Observatoire of Sport and Employment).
Ky takimi mblodhi përfaqësues nga 9 vende europiane – ndër to Shqipëria, Greqia, Franca, Portugalia, Holanda, Polonia, Luksemburgu, Suedia dhe Belgjika – për të diskutuar mbi format inovative të punësimit në sektorin e sportit dhe mënyrat për të forcuar profesionalizimin dhe qëndrueshmërinë e punësimit në këtë sektor në nivel europian.
Takimi kishte për qëllim:
- Shqyrtimin e arritjeve të fazes së parë të projektit, përfshirë publikimin e Raportit Europian të Kërkimit mbi Sfidat e Punësimit në Sport;
- Diskutimin e draftit të dokumentit të politikave (Policy Paper) me rekomandime për zhvillimin e punësimit në sport në nivel kombëtar dhe europian;
- Analizimin e rezultateve nga konsultimet kombëtare dhe ato në nivel BE;
- Planifikimin e fazës së tretë të projektit, e cila do të përqendrohet në zbatimin praktik të rezultateve përmes udhëzuesve (“roadmaps”), mjeteve dixhitale dhe trajnimeve për ekspertët e inovacionit në punësim.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e UST propozuan mundësinë që rekomandimet e projektit IN-FORMS të përdoren në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sportit në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e integrimit të formave të reja të punësimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe botës akademike për garantimin e cilësisë së profesionalizmit në sektor.
Gjatë këtij takimi u arrit në konkluzionet:
- Në të gjitha vendet pjesëmarrëse u vu re mungesë e njohurive dhe praktikave të unifikuara për punësimin në sport, si dhe nevojë për mbështetje institucionale dhe ligjore.
- Format më tërheqëse të punësimit për aktorët e sportit ishin “employee sharing” dhe “intermittent permanent employment”, të cilat kërkojnë përshtatje në kuadrin ligjor kombëtar.
- Partnerët theksuan rëndësinë e dialogut social, të përfshirjes së përfaqësuesve të punëdhënësve dhe punonjësve, si dhe lidhjen me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
Në muajt në vijim, konsorciumi do të finalizojë Policy Paper në të gjitha gjuhët e vendeve partnere dhe do të fillojë fazën e tretë të projektit me krijimin e “roadmaps” praktike, mjetit dixhital dhe kursit online për inovacion në punësim në sektorin e sportit.
Projekti IN-FORMS (Innovative Forms of Employment in Sport), i financuar nga Komisioni Europian (Erasmus+ Sport), synon të promovojë modele të reja, fleksibël dhe të qëndrueshme punësimi në sport, duke ndihmuar institucionet, organizatat sportive dhe profesionistët e fushës të përshtaten me tregun modern të punës.
Takimi në La Rochelle u shoqërua me një atmosferë bashkëpunuese dhe aktivitete sociale, që forcuan lidhjet midis partnerëve dhe angazhimin për zbatimin e suksesshëm të projektit në nivel europian. Për më tepër klikoni linkun https://www.eose.org/informs_research_report/



