31 mësues të edukimit fizik dhe punonjës psiko-social nga shkolla të Kamzës, Tiranës dhe Durrësit morën sot pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për përfundimin me sukses të trajnimit “Edukimi fizik i adaptuar për nxënësit me aftësi të kufizuara” të ogranizuar nga Qëndra e Trajnimeve dhe Formimit të Vazhduar në Universitetin e Sporteve të Tiranës.
Duke parë përfitimet që sjell sporti në zhvillimin fizik e mendor të fëmijëve, por edhe në nxitjen e gjithëpërfshirjes dhe bashkëveprimit në shkollë, Universiteti i Sporteve të Tiranës bashkëpunoi me World Vision Albania për të ofruar një trajnim të dedikuar kryesisht për mësuesit e Edukimit fizik, por edhe të stafet psiko-sociale të shkollave. Trajnimi iu vjen në ndihmë profesionistëve, që përmes përdorimit të sportit, të mund të ndihmojnë në zbatimin e planeve edukative individuale për fëmijët me aftësi të kufizuar.
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për mësuesit e trajnuar, ishin të pranishëm Prof. Dr. Agron Kasa, Rektor i Universitetit të Sporteve të Tiranës, Z. Endrit Hoxha, Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit dhe Znj.Gerta Hagen, Drejtore e Programit dhe Ndërtimit të Partneriteteve – World Vision Albania, të cilët nënvizuan rëndësinë e sportit si një mjet i domosdoshëm për zhvillimin e fëmijëve.