Në datat 18-19 Maj 2022 ne Universitetin e Tetovës u organizua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave të Natyrës, Mjekësisë dhe Teknologjive. Në këtë ngjarje kaq të madhe shkencore të pranishëm ishin një numër i madh studiuesish të fushave përkatëse, të cilët me prezantimin e punimeve të tyre shkencore ndihmojnë në ofrimin e një forumi efektiv për studiuesit dhe praktikuesit për avancimin e njohurive, kërkimit dhe teknologjisë.
Ky kongres përfshiu në vetë pesë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve të Tiranës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin e Trakisë, Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Kolegjin AAB.
Në hapjen e punimeve të këtij kongresi, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir POLLOZHANI tha se pas gati dy vitesh ndërprerjeje të organizimit të aktiviteteve me prani fizike, sot të gjithë së bashku vijmë në këtë Kongres, ku përpos shkëmbimit të rezultateve të reja nga shkenca, tashmë e kemi mundësinë e takimit me njëri – tjetrin dhe kënaqësinë e shkëmbimeve të prurjeve të reja në fushat profesionale shkencore.
Në cilësinë e bashkorganizatorit të këtij Kongresi, fjalë përshëndetëse mbajti edhe Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës, Prof. Dr. Agron KASA. Rektori Kasa solli ne vemendje fillimet e veshtira te bashkepunimit me Universitetin e Tetoves dhe e vlerësoi këtë organizim shkencor si një ngjarje me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për shkencat sportive por edhe për shkencat natyrore, mjekësore dhe teknologjive.
Në ceremoninë solemne fjalën përshëndetëse e mbajtën dhe Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Z. Bekim SALI si dhe Sekretari e përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Z.Sasho POPOVSKI.
Në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen në këtë Kongres, në emër të Universitetit të Tetovës, për Prof. Dr. Agron Kasa, Sasho Popovskin dhe Dr. Ilir Hasanin u ndanë nga një dhuratë me portretin e Nënës Terezë dhe Monografinë e Universitetit të Tetovës.