Në vijim të bashkëpunimit me Korporatën e Investimeve Shqiptare, një delegacion i nivelit të lartë i Universitetit të Sporteve të Tiranës, i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Agron Kasa, zhvilloi një vizitë zyrtare institucionale në Madrid, Spanjë, më 3 shkurt 2025.
Qëllimi i organizimit të kësaj vizite ishte rritja dhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet palëve, me fokus në krijimin e programeve të përbashkëta studimi. Këto programe synojnë të krijojnë mundësi konkrete për shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, ngritjen e grupeve të përbashkëta të kërkimit shkencor, perdormit të bibliotekës dixhitale, të teknologjive të reja, si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushat e arsimit të lartë, sportit dhe shëndetit me Universidad Europea.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni realizoi fillimisht një vizitë në qendrën sportive “Valdebebas” të Klubit “Real Madrid”, ku u zhvillua një takim institucional me një nga figurat historike të klubit, z. Emilio Butragueño, duke u njohur nga afër me infrastrukturën sportive, organizimin dhe menaxhimin e një prej klubeve më të mëdha sportive në botë. Delegacioni pati gjithashtu mundësinë të vizitonte edhe stadiumin legjendar “Santiago Bernabéu”.
Më pas, delegacioni vijoi programin me një vizitë zyrtare në kampusin e Universidad Europea, ku u prit nga Rektorja, znj. Elena Gapazo dhe Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Shëndetit dhe Sporteve, znj. Simone Sato. Gjatë qëndrimit në kampus, delegacioni u njoh nga afër me infrastrukturën akademike dhe kërkimore të universitetit, përfshirë ambientet sportive, qendrën kërkimore iShape, bibliotekën universitare, si dhe spitalin e simuluar.
Fokusi kryesor i kësaj vizite konsistoi në shkëmbimin e përvojave institucionale dhe akademike, si dhe në identifikimin e mundësive konkrete për bashkëpunim afatgjatë ndërmjet dy institucioneve, për .
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit të Sporteve të Tiranës.












