
KONFERENCA SHKENCORE
"Suplementet dhe Nutraceutiket në Aktivitet Fizik dhe Sport: përdorimi, njohja dhe ndërgjegjësimi i komunitetit fizikisht aktiv për efektet e përdorimit të tyre"
11 Dhjetor 2025
Hotel Mondial
Tiranë
Universiteti i Sporteve të Tiranës, organizon në datën 11 Dhjetor 2025 në mjediset e Hotel Mondial në Tiranë, Konferencën Shkencore me titull "Suplementet dhe Nutraceutiket në Aktivitet Fizik dhe Sport: përdorimi, njohja dhe ndërgjegjësimi i komunitetit fizikisht aktiv për efektet e përdorimit të tyre".
Kjo konferencë do të bashkojë akademikë, profesionistë të fushave të sportit, shëndetit, mjekësisë dhe të tjera të lidhura me to, për të ndarë njohuri që lidhen me përdorimin e suplementeve ushqimore në kuadër të aktivitetit fizik dhe sportit, praktikat e përdorimit të tyre, rreziqet dhe pasojat shëndetësore që rrjedhin nga keqpërdorimi dhe do hapë një diskutim mbi çështje që lidhen me importimin, tregtimin, kontrollin e cilësisë dhe rolin e faktorëve dhe aktorëve të ndryshëm në përdorimin e përshtatshëm të tyre në kuadër të Aktivitetit Fizik dhe Sportit.
Në konferencë do të paraqiten rezultate shkencore të përftuara nga zbatimi i projektit kërkimor me titull “Integratorët dhe Nutraceutikët në aktiviteti fizik dhe sport: deficiencat, përdorimi, tregtimi dhe njohja e tyre nga komuniteti i sportit në vendin tonë”, mbështetur dhe financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), në kuadër të Projekteve Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit 2024-2025.
Urojmë që ky event të shërbejë si një platformë shkëmbimi të njohurive bashkëkohore në fushën që trajton, të propozojë ide të reja kërkimi dhe të krijojë mundësi për projekte bashkëpunimi në të ardhmen midis Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend dhe më gjerë.
