Me ftesë të Universitetit të Urbinos “Carlo Bo”, një delegacion i Universitetit të Sporteve të Tiranës, i kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Agron Kasa, zhvilloi një vizitë zyrtare në Urbino-Itali, me rastin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Laureati Capolavoro”, e mbajtur më 23 tetor 2025 në kuadër të aktiviteteve të Career Day 2025. Ky çmim iu akordua edhe MSc. Francesco Vitobello, për kontributet e tij në fushën akademike dhe profesionale, veçanërisht për angazhimin e tij pranë Institutit të Kërkimit Shkencor të Sportit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu Prof. Dr. Arben Kacurri dhe MSc. Safiola Çarçani, të cilët kanë ndjekur nga afër procesin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy universiteteve.
Universiteti i Sporteve të Tiranës shpreh mirënjohjen e falenderimet e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer të kësaj vizite nga stafi i Universitetit të Urbinos “Carlo Bo”, veçanërisht për Prof. Piero Sestili, si dhe për Rektorit të Universitetit të Urbinos Prof. Giorgio Calcagnini, për vlerësimin dhe gatishmërinë për të forcuar më tej lidhjet ndërmjet dy institucioneve tona. Kjo vizitë shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve akademike e shkencore mes Universitetit të Sporteve të Tiranës dhe Universitetit të Urbinos “Carlo Bo”, duke hapur perspektiva të reja për projekte të përbashkëta kërkimore dhe shkëmbime akademike. Bashkëpunimet ndërkombëtare mbeten një prioritet kyç për universitetin tonë, në funksion të rritjes së cilësisë në arsim e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin.








