Projekti

PROJEKTI KËRKIMOR SHKENCOR

 “INTEGRATORËT DHE NUTRACEUTIKËT NË AKTIVITET FIZIK DHE SPORT: DEFICIENCAT, PËRDORIMI, TREGTIMI DHE NJOHJA E TYRE NGA KOMUNITETI I SPORTIT NË VENDIN TONË

Racionalja dhe konteksti shkencor i projektit

Suplementet dhe nutraceutikët janë produkte të formave e formulimeve të ndryshme ushqimore e farmaceutike që synojnë plotësimin e lëndëve ushqyese, garantimin e niveleve normale të tyre në grupmosha apo gjendje të ndryshme fiziologjike dhe korrigjimin e përplotësimin e tyre në kushte pamjaftueshmërish ushqimore apo patologjike.

Aktiviteti fizik e sportiv shpesh bëhet shkak për mangësi të elementëve ushqimorë, duke kërkuar plotësimin tyre në shërbim të shëndetit dhe performancës sportive. Veçanërisht në sportistët elitarë, kërkesa për përmirësimin dhe ruajtjen e performancës sportive, sidomos në kushtet e standardeve kompetitive gjithnjë në rritje, bën që suplementimi ushqimor të bëhet një praktikë thuajse normale dhe rutinore. Suplementet që rekomandohen të përdoren në kuadër të lëvizjes/fitnesit dhe sportit, i përgjigjen nevojave të veҫanta që ka kjo kategori në lidhje me llojshmërinë, sasinë, raporteve midis llojeve të ndryshme, qëllimit të përdorimit të tyre dhe efekteve në performancën fizike e sportive sipas llojit stërvitjes dhe sportit.

Por në të njëjtën kohë, përdorimi i suplementeve në aktivitet fizik dhe sport shoqërohet me një sërë problematikash që konsistojnë në mungesën e njohurive lidhur me përbërjen, efektet dhe sidomos rreziqet për shëndetin, gjë që shpeshherë ҫon në marrjen e pakontrolluar e pa kriter të tyre. Paralelisht me hendekun e njohurive është mungesa e kontrollit të sigurisë së suplementeve, mbikëqyrjes rregullatore në tregtimin dhe marketingun e tyre, duke mundësuar blerjen nga përdoruesit pa asnjë kontroll dhe nën efektin e reklamimit të tyre deri në nivelet e mashtrimit.

Për të krijuar një mjedis më të sigurt, të informuar dhe për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e individëve që angazhohen në aktivitet fizik dhe sport, adresimi i këtyre sfidave në Shqipëri bëhet akoma më imperativ vecanërisht në kushtet e mungesës së plotë të të dhënave, kërkimeve dhe publikimeve shkencore mbi suplementet, natyrën, qëllimin dhe përdorimin e tyre në kuadër të fitnesit dhe sportit, mbi shkallën e njohjes, praktikat dhe përshtatshmërisë së përdorimit të tyre për fitnes dhe sport, tregtimit të pakontrolluar, të pasigurtë e në mungesë të legjislacionit përkatës si dhe në kushtet e mediatizimit dhe marketimit të papërgjegjshëm, keqinformues dhe nxitës në shërbim të fitimit të prodhuesve e tregtuesve.

Qëllimi i Projektit

Investigimi, hulumtimi dhe trajtimi në mënyrë holistike, gjithëpërfshirëse e mbi baza të njohurive akademike, shkencore e profesionale ҫështjet e nivelit të përdorimit, natyrës së suplementeve nga komuniteti fizikisht aktiv në vendin tonë, vlerësimi i nivelit të njohurive për to, ndikimin e faktorëve shoqërues dhe ndikimin e politikave të tregtimit dhe marketimit në përdorimin e papërshtaëshëm të tyre nga ky komunitet.

Objektivat e projektit

  1. Investigimi dhe vlerësimi i shkallës, nivelit dhe llojeve të suplementeve që përdoren nga grupe që merren me aktivitet fizik dhe sport në vendin tonë.
  2. Analizimi dhe evidentimi i pamjaftueshmërive të disa indikatorëve ushqimorë të domosdoshëm për shëndetin muskulo-skeletor në subjekte që kryejnë aktivitet fizik të rregullt dhe sport.
  3. Vlerësimi i shkallës së njohjes së integratorёve/nutraceutikёve nga komuniteti i fitnesit/sportit (pёrfshire palestrat, studentet e UST, klubet sportive) dhe sensibilizimit të tyre mbi keqpërdorimin, abuzimin dhe efektet e padëshiruara.
  4. Njohja e komunitetit akademik e shkencor dhe grupeve të interesit me të dhënat e përftuara e të analizuara në kuadër të projektit dhe hapja e një debati shkencor akademik në lidhje me to.

Rezultatet e arritura (deri Dhjetor 2025)

  1. Testimi laboratorik dhe analizimi i te dhënave mbi statusin e Kalciumit, Magnezit dhe Vitaminës D në 89 sportistë elitarë në vend dhe vlerësimi i rëndësisë dhe skemave të suplementimit në funksion të shëndetit dhe performancës fizike e sportive.
  2. Mbledhja e të dhënave nga 697 subjekte që merren me aktivitet të rregullt fizik dhe sport përmes 4 pyetësorëve të standardizuar mbi përdorimin, llojin, frekuencën e përdorimit të suplementeve dhe faktorët që ndikojnë në grupe e subjekte të ndryshme që merren me aktivitet të rregullt fizik individual dhe të organizuar në kuadër të klubeve sportive. Është krijuar një database me mbi 20,000 të dhëna dhe kryer përpunimi statistikor i plotë i të dhënave për 570 subjekte të përfshirë në studim.
  3. Botime shkencore
  4. Botuar 4 artikuj shkencorë;

2 artikuj në revista ndërkombëtare të indeksuara në platforma të mirënjohura dhe 2 artikuj konferencash ndërkombëtare.

Paraqitur për botim 2 artikuj të tjerë në revista ndërkombëtare të mirënjohura e të indeksuara të fushës.

  1. Pjesëmarrje dhe prezantime në 5 Konferenca Shkencore, ndër të cilat 4 ndërkombëtare në vendet e BE dhe 1 ndërkombëtare zhvilluar në Shqipëri.