Më datë 14.12.2018, në ambjentet e universitetit u zhvillua ceremonia jubilare me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Universitetit të Sporteve të Tiranës. Në ceremoni ishin të pranishëm ish-pedagogë ndër vite, ish-drejtues, personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare të botës akademike e sportive, stafi akademik e ai administrativ dhe studentët e universitetit.
Kjo ceremoni jubilare nisi me përurimin e godinës së re nga Rektori i universitetit dhe Doktor Honoris Causa Prof.Paolo Parisi. Fjalën e hapjes në këtë ceremoni e mbajti Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës Prof.Dr. Agron CUKA, i cili theksoi arritjet me të rëndësishme të këtyre 60 viteve histori suksesi.
Me rastin e përvjetorit të 60-të të institucionit tonë Presidenti i Republikes Zoti Ilir Meta vlerësoi Universitetin e Sporteve të Tiranës me Titullin “KALORËSI I URDHRIT TË SKENDERBEUT”, i cili ju akordua Rektorit nga dy Këshilltarët për Sportin në Insititucionin e Presidentit Z. Leonard TASE dhe Z.Ylli Asllani.
Partnerët ndërkombëtar përshëndetën këtë ceremoni solemne e gjithashtu përcollën dhe mirënjohjen e vlerësimin për bashkëpunimin reciprok në fushën akademike dhe atë shkencore.
Kjo ditë e shënuar solli dhe bashkëpunimin e më të ri europian atë të nënshkrimit të marrëveshjës dypalëshë me Universitetin e Lubjanës, Fakultetin e Sportit të Sllovenisë.
Senati akademik i UST me rastin e këtij 60 vjetori vendosi të jap dy tituj Profesor Emeritus për dy ish pedagog: Profesoreshe Lumturi Markola dhe Profesor Fatmir Dibra, të cilët ju akorduan nga dy përfaqësuesit e Senatit Prof.dr Bardhyl Misja dhe Prof. dr. Albert Karriqi.
Jo rastësisht u zgjodh sllogani “60 vjet histori suksesi”, sepse realisht janë 6 dekada që i kanë dhënë këtij institucioni një vend të pazevëndësueshëm në edukimin fizik e sport, të cilat u përshkruan në mënyrë të detajuar në reportazhin e përgatitur.
Studentët e universitetit patën një rol thelbësor në ceremoninë e 60 vjetorit pasi nën kujdesin e stafit akademik ofruan një shfaqje unike dhe të paharrueshme.
Ky përvjetor historik krijon besimin e patundur që, edhe në të ardhmen, Universiteti i Sporteve të Tiranës do vazhdojë të mbështeti misionin e tij të rëndësishëm në formimin universitar të studentëve e të specialistëve në të gjitha ciklet e studimeve në fushën e edukimit fizik dhe sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *