Ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” Z. Armand Duka nga Universiteti i Sporteve të Tiranës

Çfarë kuptimi ka “Doctor Honoris Causa” ?
Çfarë vlere e misioni ka titulli i nderit “Doctor Honoris Causa” ?

 “Në arenën e jetës njerëzore, nderimet dhe shpërblimet bëhen për ata që tregojnë cilësitë e tyre të mira në veprim”.                                                                                                                                                                                                                            Aristoteli


Grada më e hershme e nderit “Honoris Causa”, e regjistruar në nivel universitar, iu dha Lionel Woodville në fund të viteve 1470 nga Universiteti i Oksfordit. Ai më vonë u bë Peshkop i Salisbury.

Grada “Doctor Honoris Causa” (shkurtuar si “Dr.h.c.”, latinisht “për hir të nderit”), e cila vendoset pas emrit, për një figurë të shquar në fushën kombëtare dhe ndërkombëtare të shkencës dhe teknologjisë, rrallë akordohet edhe në sfera të tjera të jetës shoqërore dhe kulturore, për personalitete që kanë kontribuar në zhvillimin e fushës së tyre, në nivel vendor dhe ndërkombëtar, ose që kanë kontribuar në të mirën publike.

Një diplomë nderi ose një diplomë honoris causa është një diplomë akademike për të cilën një universitet ka hequr dorë nga kërkesat e zakonshme, të tilla si matrikullimi, plotësimi i një kursi studimesh, kalimi i provimeve dhe mbrojtja e një disertacioni. Grada është zakonisht një doktoraturë dhe mund t’i jepet dikujt që nuk ka asnjë lidhje paraprake me institucionin akademik. Diploma shpesh jepet si një mënyrë për të nderuar kontributet e një personi të shquar në një fushë specifike ose në shoqëri në përgjithësi.

 “Grada Doctor Honoris Causa zakonisht jepej si një formë njohjeje”. Origjinaliteti sanksionohet si një formë patronazhi e ndërsjelltë, ku një universitet mund të njohë kontributin e dikujt në komunitet, dhe në kthim ai person mbështet përpjekjet e universitetit.

Qëllimi i dhënies së gradave të nderit është: së pari, të njohë arritje të rëndësishme nga individët, dhe në veçanti arritjet që promovojnë të njëjtat vlera dhe objektiva si ato që mbahen nga vetë Universiteti; dhe së dyti, për të rritur pozitën e universitetit përmes shoqërizimit të tij edhe me ata të cilëve u akordon vlerësime.

Grada Doctor Honoris Causa është një titull nderi i dhënë nga një procedurë e jashtëzakonshme, si rregull në fillim të vitit akademik.

Propozim për dhënie titulli honorifik “Doctor Honoris Causa” Z. Armand DUKA

Do ta strukturojmë propozimin me argumentet që përfshijnë arritjet dhe kontributet e Z. Armand Duka në drejtim të organizimit, administrimit, drejtimit dhe krijimit të modeleve të suksesshme dhe të qëndrueshme në sportin e futbollit, në vlerën e kontributit të tij në drejtim të Sistemit Sportiv Shqiptar, por dhe në aspektin akademik. Gjithashtu, në vlerat e veçanta të tij në përfaqësimin në nivelet më të larta ndërkombëtare të sportit shqiptar, si në nivel europian, ashtu dhe në atë botëror.

  1. Në aspektin organizativ dhe administrativ.

Që nga viti 2002, Z. Duka si President i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka arritur të organizojë dhe mirëadministrojë Federatën Shqiptare të Futbollit duke krijuar një strukturë funksionale dhe të suksesshme plotësisht të krahasueshme me të gjitha federatat europiane në drejtim të:

  • Masivizimit të futbollit për fëmijë, të rinj, amatorë dhe profesionistë. Organizimin për herë të parë në vendin tonë të futbollit për femra, ku sot kemi të jetësuar në struktura aktive dhe të suksesshme ekipet e femrave në futboll, që nga niveli i fëmijëve e deri tek të rriturat, kampionatin kombëtar të tyre sipas grupmoshave, si dhe ekipet kombëtare të femrave në futboll. Sot, sporti i futbollit në vendin tonë përfaqëson mbi 60% të sportit të organizuar në nivel kombëtar;
  • Organizimi i qëndrave rajonale të futbollit në qarqet kryesore të vendit, si një strukturë ndihmëse për zhvillimin e futbollit në nivel kombëtar, duke siguruar sandardet e cilësisë së mirëadministrimit të shoqateve dhe klubeve shqiptare të futbollit, por dhe me një fokus të veçantë në zhvillimin e standardizuar të talenteve të reja, femra dhe meshkuj. Kjo përbën në vetvete jo thjeshtë një arritje organizative dhe administrative, por dhe një vlerë në drejtim të rritjes së nivelit profesional të stafit administrativ, trainerëve, specialistëve dhe sportistëve të futbollit në çdo dimension;
  • Organizimi dhe administrimi i zinxhirit të kurseve të kualifikimit për trainerët deri në nivel me të lartë UEFA – Pro, përbën një arritje unike të FSHL-së duke i krijuar mundësi trainerëve tanë të jenë të akredituar plotësisht brenda dhe jashtë vendit, apo thënë ndryshe në familjen dhe tregun botëror të futbollit.
  • Organizimi i admirueshëm i zinxhirit të ekipeve kombëtare (përfaqësuese) në të gjitha nivelet, i krahasueshëm me eksperiencat më të mira europiane. Falë këtij organizimi dhe menaxhimi ekipi ynë përfaqësues arriti në finalet e Kampionatit Europian 2016, arritja më e madhe në historinë e Futbollit Shqiptar. Gjithashtu, në këtë drejtim vlen të theksohet arritja e organizimit të klinikave seleksionuese, për moshat në shtete të ndryshme europiane, për identifikimin dhe rekrutimin e talenteve të reja nga komuniteti shqitar në Europë. Një eksperiencë shumë e mirë dhe me vlera praktike e profesionale;
  • Organizimi dhe menaxhimi i Administratës së FSHF-së në një godinë të re, impresionuese dhe unikale për mundësitë e realitetit të vendit tonë, ku infrastruktura dhe akomodimi, përbërja e administratës, numri i stafit, struktura organizative me drejtoritë përkatëse, janë një model po aq unikal dhe i krahasueshëm me standardin e organizimit dhe veprimtarinë e vetë UEFA-s. Gjithashtu, FSHF ka jetësuar një sistem fuksional dhe modern të kualifikimit në vijimësi të stafit administrativ, ku peshën themelore e përbën puna me projekte, në veçanti jashtë vendit. Të gjitha këto janë një praktikë e suksesshme profesionale me referencat më moderne të aplikimit të koncepteve akademike në drejtim të menaxhimit të një organizate.

  1. Krijimi i modelit të suksesshëm dhe të qëndrueshëm
  • Qeverisja e mirë është bërë një koncept i gjithëpranishëm dhe ka fituar legjitimitet në Federatën Shqiptare të Futbollit. Qeverisja e mirë nuk konsiderohet si një qëllim në vetvete, por më tepër si një mjet për një rezultat final në FSHF. Zbatimi i qeverisjes së mirë ka rritur legjitimitetin dhe efektivitetin e organizatës, si dhe rezistencën e saj ndaj praktikave joetike. Kjo i ka mundësuar federatës së futbollit të ndërtojë besim me qeveritë, palët e interesuara dhe me partnerët e mundshëm komercialë. Nga ana tjetër, kjo ka rritur autonominë e Federatës së Futbollit – domethënë, parimet e rëndësishme si: transparenca; demokracia; përgjegjësia dhe kontrolli i brendshëm; si dhe përgjegjësia sociale janë zbatuar në mënyrë të duhur në FSHF, duke krijuar një model unik në vendin tonë, që padyshim duhet të ndiqet edhe nga federatat e tjera. Gjithashtu, niveli i zhvillimit të marketingut dhe sponsorizimit, të komunikimit me publikun, në veçanti për ekipet përfaqësuese, ka arritur një nivel të admirueshëm për FSHF-në duke e bërë atë të krahasueshme me homologët perëndimorë. Në të njëjtën kohë, kjo arritje përbën edhe një referencë për konceptet e zbatuara akademike të menaxhimit në sport, ku studentët dhe pedagogët tanë mund të zhvillojnë praktikat e tyre profesionale duke gjetur të zbatuara mësëmiri dhe praktikisht konceptet akademike të menaxhimit në sport.

  1. Përfaqësimi ndërkombëtar
  • Duka, që nga viti 2004 e në vazhdim është anëtar dhe titullar i disa komisioneve të UEFA-s dhe FIFA-s, duke kulmuar përfaqësimin e tij në vitin 2019 në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, apo thënë ndryshe Qeverisë Europiane të Sportit të Futbollit, përsëri një arritje unikale e përfaqësimit si individ, por në të njëjtën kohë dhe për më shumë, të përfaqësimit të sportit tonë në nivel ndërkombëtar. Z. Armand Duka është “Konsull Nderi” në Shqipëri për Republikën e Hungarisë, një tjetër vlerë e tij, përfaqësuese dhe domethënëse.   

    

Bazuar në të gjitha argumentet e lartpërmendur, shprehim bindjen se Z. Armand Duka përfaqëson në vetvete një model të spikatur, të suksesshëm dhe përfaqësues i praktikave më të mira të zbatuara në Sistemin Sportiv Shqiptar, e në veçanti në sportin e futbollit, kësisoj ai e meriton plotësisht të jetë “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Sporteve të Tiranës, duke qënë një vlerë e shtuar e tij në aspektin profesional dhe përfaqësues.

Blog Attachment